Trump publikon video të krijuara me IA duke u përleshur me një tigër

Presidenti amerikan Donald Trump ka publikuar në platformën e tij Truth Social disa video të pazakonta, mes tyre edhe një të krijuar me inteligjencë artificiale, ku shfaqet duke ndjekur dhe duke u përleshur me një tigër, përpara se ta përqafojë atë.

Pamjet u publikuan të martën në mbrëmje, vetëm disa orë pasi Trump kishte shpërndarë një video reale të një sulmi fatal nga një tigër ndaj një burri që kishte hyrë në kafazin e kafshës në një park të jetës së egër në Angli.
Në videon e krijuar me IA, Trump shfaqet duke ndjekur dhe duke u përleshur me kafshën e egër. Në fund, të dy përqafohen nën tingujt e këngës së njohur “The Lion Sleeps Tonight”.

Presidenti amerikan publikoi gjithashtu një tjetër video, ku paraqitet si një luan që përballet me hienat. Në këtë rast, kundërshtarët e tij politikë, mes tyre Barack Obama, Nancy Pelosi dhe Gavin Newsom, paraqiten si kafshë që e sulmojnë dhe e tallin.

Publikimet erdhën pas ngjarjes tragjike të 10 tetorit në Parkun e Jetës së Egër të Yorkshire, pranë Doncaster, ku një burrë humbi jetën pasi hyri në hapësirën e rrethuar të tigrit.

Trump e shoqëroi videon e sulmit me mesazhin: “Mos u ngatërroni kurrë me natyrën! Presidenti DJT”.
Shpërndarja e pamjeve reale të sulmit shkaktoi shqetësim, pasi policia e South Yorkshire u kishte kërkuar qytetarëve të mos i shpërndanin videot që qarkullonin në internet, duke kërkuar respekt për viktimën dhe familjen e tij.

Të Fundit