STOP-EMISIONI 25(Sezoni 12) 13 Tetor 2026-“E ka doren cike te larte ai”, me tufa eurosh e zarfe, sa paguhet provimi ne Universitet

Një studente, e prezantuar si Arjola Lalaj, është ankuar pranë emisionit “Stop”, duke pretenduar, se pedagogu Petrit Taraj, në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës, nuk e kalonte në provim, edhe pse ajo mësonte. Bëhet fjalë për lëndën Pedagogji, në Fakultetin e Shkencave Humane.Ne u interesuam pranë universitetit dhe mësuam, se Arturi, i cili ka një kancelari pranë institucionit, ishte personi, që, sipas informacioneve të mbledhura, mund të ndërhynte për kalimin e provimit. U interesuam pranë tij dhe Arturi na sqaroi, se duheshin 300 euro. Madje, ai pretendoi, se ishin vetë studentët ata, që e kishin rritur çmimin, pasi ishin ankuar.Ditën e provimit për sezonin e vjeshtës, më 15 shtator, pamë profesorin Petrit Taraj duke futur studentët një nga një në provim. Aty takuam një studente me një zarf në dorë, e cila na tregoi, se kishte përgatitur 200 euro për provimin dhe po priste një person, për t’ia dhënë, pasi nuk mund t’ia dorëzonte paratë drejtpërdrejt profesorit.Pas disa ditësh, u interesuam pranë sekretarisë së universitetit për notën e studentes. Sekretarja na tregoi, se vetë profesori Petrit Taraj ishte interesuar, për t’ia hedhur notën.

Nisma për mbështetjen e fëmijëve me autizëm sjell në vëmendje rëndësinë e ndërgjegjësimit për këtë kategori me aftësi ndryshe. Edhe emisioni “Stop” i bashkohet kësaj nisme nën moton “Run for autizm” apo “Vrap lale”, në mënyrë, që kjo kategori fëmijësh të këtë mundësi të plota për integrim.

Luljeta Tego i është drejtuar emisionit “Stop” për problemin me pensionin e bashkëshortit të saj, Roland Tego, i cili për shkak të gjendjes shëndetësore, nuk mund të flasë. Ajo tregon se, pas largimit nga puna në Ministrinë e Brendshme, bashkëshorti nisi proceset gjyqësore, që përfunduan në tetor 2025 në favor të tij. Roland Tego fitoi të drejtën për të marrë pagat e prapambetura, që u ekzekutuan përmes përmbarimit.Por, ndonëse çështja e pagave u zgjidh në gjykatë, vendimi nuk është reflektuar ende në masën e pensionit. Sipas familjes Tego, rishikimi i pensionit kërkon përditësimin e listëpagesave nga Ministria e Brendshme, dërgimin e tyre pranë institucioneve të sigurimeve shoqërore dhe më pas procedimin e dokumentacionit në arkivën përkatëse.Pra, pas fitores në gjykatë, Roland Tego përballet me një tjetër pritje, këtë herë për përfundimin e procedurave administrative, që do t’i mundësojnë rishqyrtimin e pensionit dhe përfitimin e shtesave përkatëse.Nga Ministria e Brendshme është bërë me dije, se dosja është në proces pune dhe procedurat pritet të përfundojnë brenda vitit 2026. Vetëm pas përfundimit të tyre, pensioni i Roland Tegos do të rishqyrtohet nga institucionet përgjegjëse.

Të Fundit