Destinacionet turistike, Rama: Kemi ndërtuar një Shqipëri tjetër, Malësia dhe Përmeti dukeshin pa shpresë

Kryeministri Edi Rama ka ndarë një reflektim mbi transformimin e disa zonave të Shqipërisë, duke marrë si shembuj Malësinë e Madhe dhe Përmetin, të cilat sipas tij, një dekadë më parë konsideroheshin zona të largëta dhe pa shumë perspektivë.

Në episodin e pestë të sezonit të shtatë të podcastit të tij “Flasim”, Rama theksoi se këto dy destinacione sot janë pjesë e një Shqipërie të re, të ndërtuar me shumë mund, ndërsa kritikoi perceptimin që krijohet përmes rrjeteve sociale dhe ekraneve, nga ku, sipas tij, jo gjithmonë pasqyrohet realiteti i zhvillimit të vendit.

“Duke përgatitur pak minuta më parë këtë episod që është i pesti i sezonit të shtatë të podcastit ‘Flasim’, po mendoja që njëherë e një kohë, por jo 100 vjet përpara, 10 vjet përpara, qoftë Malësia e Madhe, qoftë Përmeti ishin ndër ato pika në hartën e Shqipërisë që dukeshin shumë larg dhe nga ana tjetër, ku dukej për së largu, pa shkuar, që s’kishte asnjë arsye për të shkuar.

Kujtova po ashtu që në kohën kur unë nuk isha ende në këtë detyrë dhe për shkak të detyrës që kisha më parë, duhet të bridhja Shqipërinë

Qoftë Malësia, qoftë Përmeti ngjanin si vende pa shpresë, ky kush ishte aty ishte thjesht ende aty, por të nesërmen s’do të ishte më aty. Kush vinte, vinte ose se kishte familjen aty për t’i parë ose se në rastin më të zakonshëm një dasmë ose larg qoftë, një vaki.

Sot janë dy destinacione të Shqipërisë së re, Shqipërisë tjetër që kemi ndërtuar me shumë mund ndërkohë që nga bulevardi i Tiranës shumëçka mbulohet me retë artificiale të kanaleve sociale dhe të ekraneve”, tha Rama

Të Fundit