Një ditë pas denoncimit të “Stop”/ Gjykata i heq sekuestron hotelit 5-katësh ‘Central Park Premium’ në Ksamil: Ka leje ndërtimi dhe numër tjetër pasurie

Më 22 shtator, Gjykata e Sarandës vendosi sekuestron e hotelit “Central Park Premium Hotel” në Ksamil, si dhe të një objekti pranë tij. Vendimi parashikonte që sekuestrimi i hotelit të hynte në fuqi më 6 tetor, për shkak të pranisë së pushuesve. Në të njëjtën kohë, gjykata caktoi masën e arrestit në shtëpi për pronarin e hotelit, Kujtim Peposhi.

Rasti u bë publik edhe përmes emisionit investigativ “Stop”, i cili e transmetoi ngjarjen gjatë mbrëmjes së djeshme, duke iu referuar komunikatës së Prokurorisë së Sarandës, ku hoteli ishte përshkruar si një objekt pesëkatësh i ndërtuar pa leje.

Por sot, vetëm një ditë pas transmetimit të emisionit, Gjykata e Sarandës ka vendosur heqjen e sekuestros ndaj “Central Park Premium Hotel”.

Sipas arsyetimit të gjykatës, hoteli disponon leje ndërtimi dhe ka një numër pasurie të ndryshëm nga prona për të cilën Prokuroria kishte kërkuar sekuestrimin.

Kështu, vendimi i sotëm ndryshon situatën e krijuar pas vendimit të 22 shtatorit, duke hequr masën e sekuestros ndaj hotelit.

Të Fundit