Hetimi për publikimin e materialeve intime të disa artisteve ka hyrë në një fazë të re, ndërsa policia ka kontaktuar kompozitorin Adi Hila dhe pritet ta marrë në pyetje gjatë ditës së sotme. Hila është njoftuar mbrëmjen e kaluar për hetimet kryesisht të nisura nga policia. Hila nuk ndodhek ditën e mërkurë në Tiranë, por ai ka shprehur tronditjen për situatën dhe ka bërë të ditur se do të paraqitet në polici sapo të rikthehet në kryeqytet, për të dhënë shpjegimet e tij dhe për të sqaruar rrethanat që lidhen me publikimin e materialeve.
Në të njëjtën kohë, hetuesit kanë kontaktuar edhe gratë dhe burrat që dyshohet se janë prekur nga publikimi i këtyre materialeve. Burimet bëjnë me dije se ato ndodhen në një gjendje të rënduar për shkak të situatës dhe pritet të japin deklarimet e tyre në polici.
Por një nga pikëpyetjet kryesore të hetimit mbetet mënyra se si regjistrimet kanë dalë nga sistemi i kamerave dhe kanë përfunduar online. Për këtë arsye, specialistët e Krimit Kibernetik pritet të kryejnë një ekspertim të plotë të pajisjeve, duke përfshirë edhe DVR-në ku ruhen pamjet.
Në këtë fazë, një nga pistat që po verifikohet është mundësia e një ndërhyrjeje të paautorizuar në sistem. Hetuesit do të analizojnë nëse aksesi është realizuar në distancë apo nëpërmjet rrjetit wireless të internetit të zyrës. Ekspertiza pritet të përcaktojë edhe gjurmët digjitale të lëna gjatë këtij procesi.
Paralelisht, policia pritet të kërkojë bashkëpunimin e platformës ku janë publikuar materialet, me qëllim identifikimin e përdoruesit që i ka ngarkuar ato. Në fokus janë edhe faqe të tjera interneti ku mund të jenë shpërndarë të njëjtat pamje, pasi hetuesit po verifikojnë nëse materialet janë ripublikuar në platforma të ndryshme.
Në varësi të rezultateve të ekspertizës dhe deklarimeve që do të merren, hetimi pritet të qartësojë jo vetëm mënyrën e nxjerrjes së materialeve nga sistemi, por edhe personat që kanë pasur akses dhe që mund të kenë kryer publikimin e tyre.




