10 ditë më parë transmetuam rastin fatkeq të zonjës Rajmonda Doko, një grua nga Maliqi, e cila,përveç problemeve të shëndetit mendor, po përballet edhe me një tumor në gji. Familjarët thonë, se kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Maliq dhe më pas në Korçë, por referimi i pacientes drejt Tiranës, është vonuar.Për pasojë, plaga u zgjerua dhe i zuri edhe krimba. Elvion Doko, nipi i pacientes, akuzoi zinxhirin e mjekëve, duke pretenduar, se nëse do të ishte ndërhyrë në kohë, situata mund të ishte parandaluar. Rajmonda Doko ka përfunduar e shtruar në një spital psikiatrik në Elbasan. Mjeku psikiatër, tha, se pacientja nuk duhej të ishte shtruar aty, si vendi kryesor i trajtimit, pasi psikiatria nuk është strukturë onkologjike dhe nuk ka pavijon për pacientë të shtruar për sëmundje tumorale.Nga ana tjetër, mjekja onkologe në Elbasan u shpreh, se gjendja e Rajmondës është tashmë shumë e rënduar dhe aktualisht nuk ka kirurg, që ta marrë përsipër operacionin. Pas transmetimit tonë, pacientja u tranferua në pavionin onkologjik, ku kreu një ndërhyrje për plagën. Një grup mjekësh, sipas vlerësimit multidisiplinar, ndërhyri për rikonstruksionin e gjirit, duke eliminuar tërësisht plagën.




