Prokuroria e Sarandës ka sekuestruar “Central Park Premium Hotel” në Ksamil, një godinë pesëkatëshe pa leje, si dhe një objekt tjetër njëkatësh prej 52.2 metrash katrorë, gjithashtu të ndërtuar pa leje pranë hotelit.
Sipas njoftimit zyrtar, me kërkesë të Prokurorisë dhe vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, është caktuar edhe masa e sigurisë “arrest në shtëpi” për shtetasin me inicialet K.P.
Masat janë marrë në kuadër të procedimit penal nr. 522/2025, ku po hetohen veprat penale të “ndërtimit të paligjshëm”, sipas nenit 199/a-4 të Kodit Penal, dhe “shpërdorimit të detyrës”, sipas nenit 248.
Prokuroria bën të ditur se hetimet vijojnë për të identifikuar dhe individualizuar përgjegjësinë penale të të gjithë personave që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Njoftimi:
Prokuroria Sarandë sekuestron ‘Central Park Premium Hotel’ dhe një ndërtim tjetër pa leje në Ksamil, hetime për ‘ndërtim të paligjshëm’ e ‘shpërdorim detyre’
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Sarandë, u sekuestrua hoteli ‘Central Park Premium Hotel’ me pesë kate pa leje në Ksamil si dhe një objekt pranë tij, me një kat pa leje me 52.2 m2 po në Ksamil.
Ndërkohë u caktua masa e sigurimit ‘Arrest në shtëpi’ për shtetasin K.P.
Këto masa u kërkuan nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.522/2025 për veprën penale të “Ndërtim i paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a-4 i Kodit Penal dhe “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë po vijon me kryerjen e veprimeve hetimore për identifikimin dhe individualizimin e përgjegjësisë për të gjithë shtetasit e përfshirë në këtë ngjarje.



