Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, ka nisur takimet e para zyrtare pas marrjes së detyrës në Tiranë. Ai pritet të zhvillojë një takim me kryeministrin Edi Rama, në kuadër të kontakteve të tij të para me drejtuesit e institucioneve shqiptare.
Wendt nisi zyrtarisht misionin diplomatik më 26 shtator, kur i dorëzoi letrat kredenciale Presidentit Bajram Begaj. Pas ceremonisë, kreu i shtetit zhvilloi edhe një takim kokë më kokë me ambasadorin e ri amerikan.
Me mbërritjen e Wendt në Tiranë, Shtetet e Bashkuara rikthejnë një ambasador të emëruar pas një periudhe prej më shumë se tre vitesh, gjatë së cilës ambasada amerikane u drejtua nga Nancy VanHorn si e ngarkuar me punë, pas përfundimit të misionit të Yuri Kim.
Wendt vjen në Shqipëri me një profil të theksuar ushtarak dhe sigurie. Ai ka shërbyer për më shumë se tri dekada në strukturat e ushtrisë amerikane dhe ka mbajtur poste të rëndësishme në operacionet speciale dhe në fushën e sigurisë ndërkombëtare.
Takimi me Ramën pritet të jetë një nga kontaktet e para politike të ambasadorit të ri në nisje të mandatit të tij, ndërsa në fokusin e misionit amerikan në Shqipëri janë vendosur edhe çështje të sigurisë, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe forcimi i bashkëpunimit dypalësh.




