Dy të rinj janë arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se tentuan t’i merrnin 100 mijë euro një 64-vjeçari përmes një skeme mashtrimi në një platformë komunikimi online.
Operacioni i koduar “Seen” u finalizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Operacionale”, pas kallëzimit të bërë nga 64-vjeçari.
Në pranga u vunë E. K., 24 vjeç dhe O. B., 23 vjeç, të cilët u kapën në flagrancë në momentin kur, sipas policisë, po merrnin shumën prej 100 mijë eurosh nga kallëzuesi.
Nga hetimet dyshohet se dy të rinjtë kanë komunikuar me 64-vjeçarin përmes një profili të rremë në rrjetet sociale. Sipas policisë, profili ishte krijuar duke përdorur të dhënat e një personi të njohur të viktimës, me qëllim bindjen e tij për t’u dorëzuar paratë.
Policia thotë se hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e rastit dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në skemën e mashtrimit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.



