Pas kamerës së fshehtë të “Stop”, policia procedon rrobaqepësen në Fier për prodhimin e stemave të Policisë
Siç u denoncua nga kamera e fshehtë e emisionit investigativ “Stop” mbrëmjen e djeshme, në një subjekt rrobaqepësie në lagjen “Kastriot” në Fier prodhoheshin, me porosi, bluza të punonjësve të zjarrfikëses, si dhe stema dhe numra identifikues të punonjësve të Policisë.
Pas transmetimit të materialit, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier kanë kryer verifikimet përkatëse lidhur me rastin.
Në përfundim të verifikimeve, është shoqëruar dhe proceduar penalisht shtetasja R. M., rrobaqepëse dhe pronare e subjektit, për veprën penale “Shkelja e të drejtave të autorit”.
Gjatë veprimeve procedurale, në cilësinë e provës materiale, policia ka sekuestruar disa stema, numra identifikues dhe bluza të punonjësve të zjarrfikëses.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka falënderuar emisionin “Stop” për informacionin e përcjellë dhe ka bërë thirrje për denoncimin e çdo paligjshmërie, duke garantuar verifikimin dhe trajtimin e informacionit të përcjellë nga qytetarët dhe mediat.
Njoftimi i plotë:
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier
Në lidhje me një video të publikuar në emisionin investigativ “Stop”, në të cilën shfaqet një subjekt rrobaqepësie, në lagjen “Kastriot”, Fier, ku prodhoheshin, me porosi, bluza të punonjësve të zjarrfikëses, si dhe stema dhe numra identifikues të punonjësve të Policisë, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike kanë kryer verifikimet përkatëse.
Në përfundim të verifikimeve, u shoqërua dhe u procedua penalisht shtetasja R. M., rrobaqepëse dhe pronare e këtij subjekti, për veprën penale “Shkelja e të drejtave të autorit”.
Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan disa stema, numra identifikues dhe bluza të punonjësve të zjarrfikëses.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier falënderon emisionin “Stop” për informacionin e përcjellë dhe fton mediat dhe qytetarët të denoncojnë çdo paligjshmëri, duke garantuar verifikimin dhe trajtimin e çdo informacioni të përcjellë.



