Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në platformën X, lidhur me protestat në New York.
Rama iu referuar përdorimit të flamurit kombëtar gjatë protestave, si dhe hedhjes së vezëve e baltës ndaj tij dhe përfaqësuesve të qeverisë.
“Këtyre që mbulohen me flamurin kombëtar dhe çarten rrugëve si pula histerike, u them vetëm se atë flamur e kam ngritur më lart se çka qenë kurrë ndonjëherë në sytë e botës”, shkruan Rama.
Kreu i qeverisë shton se kundërshtarët nuk do ta ndalin në atë që e quan misionin e tij për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“…atyre që kujtojnë se do më ndalin me baltë, vezë dhe jargë, në misionin tim për ta çuar flamurin tonë në majën e Europës së Bashkuar, u them se nëse për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, kemi një sistem institucional që shfaq aftësi vetëpastrimi, kjo është një arritje e madhe që nuk ka rënë nga qielli po ka ardhur pikërisht si një nga rezultatet e këtij misioni!”, vijon Rama.
Duke iu referuar debatit për korrupsionin, kryeministri deklaron se Shqipëria e sotme nuk është më vendi që, sipas tij, ka qenë në të kaluarën.
“Në një vend që është i mbytur në kënetën e korrupsionit, nuk ka luftë frontale e as rezultate konkrete kundër korrupsionit dhe atë vend e kemi jetuar ne, që të gjithë, deri kur unë me partinë time e kthyem rrotën e drejtësisë nga barazia e të gjithëve para ligjit!”, shprehet ai.
Rama thotë se sot Shqipëria vlerësohet nga Bashkimi Europian për luftën kundër korrupsionit, ndërsa sulmon kundërshtarët politikë dhe mediatikë që, sipas tij, përdorin këtë çështje për ta goditur qeverinë.
“Sot Shqipëria nuk është më ai vend e prandaj edhe Bashkimi Europian e çmon gjithnjë e më shumë Shqipërinë për këtë luftë”, shkruan kryeministri.
Në vijim të reagimit, Rama përdor një gjuhë edhe më të ashpër ndaj protestuesve dhe kundërshtarëve të tij, duke i cilësuar si “pula histerike” dhe duke ironizuar akuzat e vazhdueshme për korrupsion.
“Pulat histerike të katundit tonë kakarisin e hedhin vezë në ajër për llogari të gjelave tallagjarë të pazarit politik e mediatik, të cilët i gënjen mendja sa një vezë, se do të më ndalin mua me llogjet e pafundme për korrupsionin që po luftohet nga vetë sistemi që po ndërtojmë”, vijon Rama.



