Masa e SPAK ndaj Vlora Hysenit, Begaj mbledh të hënën Këshillin e Sigurimit Kombëtar

Presidenti Bajram Begaj do të mbledhë të hënën, në orën 08:30, në Pallatin e Brigadave, Këshillin e Sigurimit Kombëtar. Në fokus të takimit pritet të jetë situata e sigurisë në vend, pas arrestimit të ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni.

Në mbledhje pritet të marrin pjesë kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, si dhe ministrat e Mbrojtjes, Ermal Nufi, të Brendshëm, Ervin Demo, të Financave, Petrit Malaj, të Jashtëm, Ferit Hoxha, dhe të Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi.

Nga Kuvendi pritet të jetë i pranishëm edhe kryetari i Komisionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bledi Çuçi.

Sipas përcaktimeve ligjore, në mbledhje marrin pjesë gjithashtu Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Një tjetër çështje që mund të jetë në vëmendje të takimit është drejtimi i ri i Shërbimit Informativ të Shtetit. Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar më herët se do të propozojë një emër për drejtuesin e ri të SHISH dhe se për këtë çështje do të konsultohet me Presidentin. Aktualisht, SHISH drejtohet nga Elvis Lila.

Të Fundit