Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, e nisi seancën plenare të sotme me një reagim lidhur me vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët një ditë më parë u dënuan me 81 vite burg në total.
Peleshi e cilësoi vendimin si një ngjarje me rëndësi të veçantë, duke theksuar edhe peshën që ai mbart për Kosovën dhe shqiptarët.
“Dje Dhomat e Specializuara të Kosovës shpallën vendimin ndaj katër liderëve të UÇK-së. Ky vendim përbën një vendim të rëndësishëm dhe të dhimbshëm, jo vetëm për Kosovën, por dhe për historinë dhe kujtesën tonë kombëtare”, deklaroi Peleshi.
Kryetari i Kuvendit bëri të ditur gjithashtu se Kuvendi i Shqipërisë do të përcjellë një deklaratë të përbashkët lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale.
“Sot do të përcjellim një deklaratë të përbashkët nëpërmjet Kuvendit, ku do të shprehim mendimin e Kuvendit të Shqipërisë për këtë vendim”, u shpreh ai.



