Berisha reagon për vendimet në Hagë: Dënime të padrejta ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Berisha e cilësoi 16 shtatorin si një ditë jo të mirë për shqiptarët dhe familjet e ish-udhëheqësve politikë të UÇK-së, duke kundërshtuar vendimet e gjykatës.

“Natyrisht sot është një ditë jo e mirë për shqiptarët, për mbarë kombin, për familjet e ish-udhëheqësve politikë të Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe të Kosovës”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, gjykata e shkallës së parë në Hagë nuk arriti të paraqiste prova konkrete dhe vendimet u bazuan, sipas tij, në “deklarata të përgjithshme” që janë përsëritur nga propaganda serbe.

“Dha dënime tërësisht të pamerituara në vend që të shpallte pafajësinë në sallë në emër të të drejtës ndaj ish-udhëheqësve politikë të Luftës Çlirimtare dhe të Kosovës”, deklaroi Berisha.

Ai tha gjithashtu se në Beograd këto vendime do të priten me festime, ndërsa theksoi se, sipas tij, ato nuk mund të zbehin rolin që ai i atribuon UÇK-së në çlirimin e Kosovës.

“Asgjë nuk mund të errësojë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës që ata udhëhoqën si faqen më të ndritur të luftërave të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar pas luftërave të Skënderbeut”, tha Berisha.

Në vijim, ai e përshkroi UÇK-në si forcën që, së bashku me mbështetjen e NATO-s, kontribuoi në çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb.

Të Fundit