Prokuroria e Kukësit ka nisur procedim penal ndaj dy punonjësve të Bashkisë Tropojë, pas humbjes së jetës së punonjësit në shtyllën e ndriçimit dhe plagosjes së tre të tjerëve.
Me kërkesë të Prokurorisë janë ndaluar N.Gj., Drejtor i Shërbimeve Publike, Turizmit dhe Transportit në Bashkinë Tropojë, dhe G.H., teknik i mirëmbajtjes së rrugëve.
Dy shtetasit dyshohen për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”. Hetimet lidhen me ngjarjen e 8 shtatorit në fshatin Bujan, ku punonjësit e bashkisë M.S., A.D., I.D. dhe A.A. po montonin një shtyllë të ndriçimit rrugor.
Gjatë punimeve, punonjësit kanë rënë në kontakt me përcjellësit elektrikë. Si pasojë, M.S. humbi jetën, ndërsa tre punonjësit e tjerë, A.D., I.D. dhe A.A., mbetën të dëmtuar.
Prokuroria vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.




