Policia e Lezhës ka intensifikuar kontrollet ndaj automjeteve luksoze, me qëllim evidentimin dhe verifikimin e mjeteve që dyshohet se mund të jenë përfituar nga veprimtari kriminale.
Në kuadër të kontrolleve, strukturat për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, kontrolluan një automjet luksoz të konstatuar në Lezhës.
Pas verifikimeve për origjinën, historikun e blerjes dhe shitjes, pronësinë dhe burimin e të ardhurave me të cilat ishte blerë automjeti, policia vendosi bllokimin administrativ të një automjeti tip “Rolls-Royce”, për mungesë dokumentacioni.
Ndërkohë, ka nisur edhe hetimi pasuror ndaj pronarit të automjetit, shtetasit F.M., banues në Mbretërinë e Bashkuar.
Policia e Lezhës do të vijojë kontrollet e përbashkëta dhe verifikimet ndaj automjeteve luksoze, me qëllim evidentimin e pasurive me burim kriminal dhe goditjen e pastrimit të produkteve të veprimtarive kriminale.




