Kryebashkiaku Tavo inspekton zonën e Manastirit të Athalit: Vijon evidentimi i dëmeve nga zjarri në Himarë

Kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, ka vizituar sot zonën e Manastirit të Athalit, për të parë nga afër dëmet e shkaktuara nga zjarri i madh.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tavo bëri me dije se vijojnë inspektimet në terren, zonë më zonë, për të evidentuar dhe dokumentuar pasojat e zjarrit.

“Sot ishim në zonën e Manastirit të Athalit, një vend me rëndësi të veçantë për banorët e zonës. Së bashku me ekipet në terren inspektuam zonën dhe verifikuam dëmet e shkaktuara. Nga evidentimi i deritanishëm, në këtë zonë janë konstatuar kryesisht djegie të shkurreve, pa dëmtime të tjera ekonomike të raportuara. Puna do të vijojë gjatë gjithë javës, zonë më zonë, për evidentimin dhe dokumentimin e plotë të dëmeve, përfshirë ullinjtë e djegur dhe pasojat e tjera në mjedis”, shkruan Tavo.

Kryebashkiaku theksoi se prania në terren do të vijojë çdo ditë, me qëllim evidentimin e plotë të situatës dhe rikthimin e normalitetit në zonat e prekura nga zjarri.

“Jemi në terren dhe do të vijojmë të jemi pranë çdo banori dhe çdo zone të prekur!”, shkroi Tavo.

Të Fundit