Ish-nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Blendi Sulaj, ka reaguar pasi u shkarkua nga posti nga kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj. Sulaj ka falenderuar bashkëpunëtorët, drejtuesit e drejtorive dhe të gjithë punonjësit e Bashkisë së Tiranës si edhe kryeministrin Edi Rama për mundësinë dhe mbështetjen.
Ai është shprehur se për mandatin e ardhshëm do të mbështesë kandidaturën e Ogerta Manastirliut.
Reagimi i plotë
“Te nderuar miq,
Prej një viti kam mbajtur postin e n/kryetarit për kontrollin e territorit në Bashkinë e Tiranës. Dua të ndaj me ju vlerësimin maksimal për n/kryetarët, drejtorët e drejtorive, shefat e sektorit dhe çdo punonjës të thjeshtë të Bashkisë së Tiranës. Janë njerëz që punojnë me shpirt çdo ditë për t’i shërbyer qytetarëve dhe shpesh jo në kushte normale pune. Dua të falenderoj kryeministrin Rama për besimin dhe mbështetjen që më dha gjatë kësaj kohe, ku udhëhoqëm lirimin e hapësirave publike dhe prishjen e ndërtimeve pa leje. Me padurim dhe plot energji do të përkushtohem në sfidën elektorale në mbështetje të PS-së dhe kandidates Ogerta Manastirliu. Tirana e bukura e shqiptarëve, për të cilën do të punojmë të gjithë.
Faleminderit!”, shkruan Blendi Sulaj.



