Anuela Ristani ka reaguar sot në 31 gusht, pas vendimit të kreut të Bashkisë Erion Veliaj, për t’ja hequr të drejtat e deleguara.
Ajo deklaron se jep dorëheqje si nënkryetare në Bashkinë e Tiranës. Ristani, përmes një mesazhi shprehet se ikën nga detyra me krenari dhe se ka punuar me vullnet që në Tiranë punët të bëhen sa më mirë.
Falënderon edhe kolegët e saj, duke thënë se ka bashkëpunuar në mënyrë të shkëlqyer me këdo. Në fund, deklaron se pavarësisht dorëheqjes sot, mbetet gjithmonë një “xhomllikse”.
“Pas më shumë se një dekade në shërbim të qytetit më të bukur në botë, largohem sot me krenari, përulësi dhe plot dashuri për Tiranën. Atë që të gjithë e lakmojnë, shumë e duan, por pak e kuptojnë.
Qyteti për të cilin fillova të punoj 11 vite më parë, kur kaloja distancën e shkurtër por të gjatë të sheshit “Skënderbej“ që vetëm shesh nuk mund të quhej, është sot pikë takimi për vizitorë nga e gjithë bota, që nuk dinë t’i vënë tamam një emër joshjes që ndjejnë, pasi pika më e fortë e Tiranës është ndjesia e mirë që të jep.
Jam pa masë mirënjohëse për të gjithë bashkëudhëtarët e kësaj përvoje të papërsëritshme, dhe për qytetarët që thyen paragjykime shekullore dhe stereotipe brezash për t’u shfaqur të bukur dhe krenarë në të gjithë botën. Koha është gjykatësi më i drejtë, më i paanshëm dhe më i pakapshëm. Në respekt të kohës, asaj që do të vijë, lipset që qytetin ta shohim pak më tonin e ta duam për atë që jemi, jo për atë që mund të na bëjë.
Dhe sa për mua, unë do të mbetem gjithmonë “xhomllikse” edhe pse kam lindur në Tiranë të Re dhe jam rritur përtej oqeanit.
Largohem sot me mbështetjen dhe dashurinë e atyre që për mua kanë më shumë rëndësi. Faleminderit të gjithëve”, shkruan Ristani.
Në 28 gusht, kreu në detyrë i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj vendosi që ta shkarkojë nga detyra Anuela Ristanin. Në vendim sqarohej se shkarkimi i Ristanit vjen mes të tjerash edhe pas refuzimit të saj si kryetare e komanduar, të zbatojë urdhrat nga kryetari i burgosur.
“Në periudhën pasuese dhe veçanërisht pas vendimmarrjes së fundit të Gjykatës Kushtetuese, është evidentuar një shkëputje progresive e ushtrimit të kompetencave të deleguara nga autoriteti kushtetues dhe ligjor i Kryetarit të zgjedhur, e materializuar në mungesën e informimit dhe të koordinimit institucional, në moszbatimin e vendimeve gjyqësore në moszbatimin dhe refuzimin e urdhrave të drejtpërdrejtë të Kryetarit, si dhe në veprime dhe mosveprime që kanë cenuar zinxhirin normal të përgjegjësisë dhe drejtimit institucional të Bashkisë”, thuhej në urdhrin e Veliajt.



