Kryeministria ka reaguar lidhur me vendimin e kryebashkiakut Erion Veliaj për shkarkimin e kryetares së komanduar të Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani.
Në reagimin zyrtar, qeveria i referohet vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se Veliaj vijon të jetë kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe se ushtrimi i mandatit të tij lidhet edhe me të drejtën e zgjedhësve të kryeqytetit.
Kryeministria nënvizon gjithashtu se situata e krijuar në bashki është pasojë e mungesës së kryebashkiakut në detyrë për shkak të qëndrimit të tij në qeli.
Reagimi:
Për këtë çështje ka folur Gjykata Kushtetuese dhe vendimi i saj është i qartë: Erion Veliaj është kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe ushtrimi i mandatit nga ana e vet, nuk është një e drejtë thjesht e tij si i zgjedhur, po është një e drejtë e zgjedhësve të kryeqytetit, e cila cënohet përditë me pasoja jo të papërfillshme në mbarëvajtjen e punëve dhe shërbimeve të Bashkisë Tiranë.
Ky është opinioni i kryeministrit dhe kjo është një çështje e respektimit të Kushtetutës e të vullnetit të zgjedhësve, tek e cila kryeministri nuk sheh hapësirë për interpretime nga askush.
Sa për “situatën e krijuar” në Bashkinë e Tiranës, ajo është pjesë e konfuzionit që ka krijuar në ecurinë e kryeqytetit të Shqipërisë kyçja e të zgjedhurit në qeli, e cila ka imponuar një qeverisje të Tiranës me vartës në distancë – një absurd “ligjor” që në Europën demokratike as nuk mund të imagjinohet, e jo më të ndodhë.



