Çelnik Shtupalli, 78-vjeçari nga fshati Homçan i Pogradecit, pasi kishte dëgjuar se kryeministri Edi Rama ndodhej në Pogradec, kishte shkuar pranë vilave qeveritare me shpresën se do ta takonte. Në një prononcim për gazetarët, ai tha se donte vetëm ta përqafonte.
Pas përfundimit të mbledhjes 7-orëshe me drejtuesit politikë të qarqeve, Rama kishte parë videon e 78-vjeçarit dhe kërkoi ta takonte.
Takimi i shkurtër u zhvillua në Tushemisht. Gjatë bisedës, i moshuari i kërkoi kryeministrit asfaltimin e rrugës së fshatit Homçan, në Mokër të Pogradecit, e cila është rreth 4 kilometra e gjatë.
Në takim ishte edhe kryetari i Bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli. Rama e pyeti për kërkesën e banorit, ndërsa Xhakolli u shpreh se rruga do të realizohet përpara përfundimit të mandatit.




