Sot dita e 51-të e protestës, aktivistët dhe qytetarët mblidhen para Kryeministrisë

Protesta e aktivistëve dhe qytetarëve në Tiranë shënoi këtë të hënë ditën e 51-të të saj. Ashtu si çdo mbrëmje, protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, nga ku marshuan drejt Kryeministrisë, ku po mbajnë fjalimet e përnatshme.

Edhe këtë herë, protestuesit përsëritën thirrjet e tyre “ju erdhi fundi”, “Shqipëria kërkon revolucion” dhe “dorëheqje” ndërsa kanë deklaruar se do ta vijojnë protestën deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

Pas fjalimeve para Kryeministrisë, protestuesit marshojnë në rrugët e Tiranës.

Më herët, gjatë paradites, një grup protestuesish u mblodh para godinës së Parlamentit të Shqipërisë, në kohën kur zhvillohej seanca plenare.

Me mbërritjen e automjeteve të deputetëve socialistë, protestuesit i qëlluan ato me vezë. Organizatorët e kishin cilësuar protestën si simbolike, ndërsa kësaj radhe vezët ishin të personalizuara me emrat e deputetëve.

Mes automjeteve të goditura me vezë ishin edhe ato të ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, dhe drejtuesit politik të PS-së për qarkun e Vlorës, Bledar Çuçi, teksa hynin në Kuvend. Me vezë u qëlluan edhe automjete të tjera të deputetëve socialistë që mbërrinin për seancën plenare.

Ndërkohë, një ditë më parë organizatorët njoftuan se më 23 korrik do të zhvillohet një protestë kombëtare para Parlamentit. Sipas tyre, protesta do të jetë paqësore, pa hedhje vezësh dhe do të shoqërohet me simbolika.

Të Fundit