Dyshohet se abuzuan me fondet, ndalohen ish drejtoresha e filialit të Postës në Durrës dhe dy punonjëse të tjera

Ish drejtoresha e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj, e cila u shkarkua pak ditë me parë, shefja e Financës Valbona Hoti Duni dhe arkëtarja Paola Dana janë ndaluar me urdhër të Prokurorisë së Durrësit në kuadër të hetimit të nisur për abuzim me fondet e institucionit.

Pas kallëzimit penal të Postës, prokurori G. Frëngu ka nisur menjëherë veprimet procedurale dhe ka kërkuar mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së shtetit ku 3 punonjëset e akuzuara nga Posta Shqiptare për shkelje detyre dhe abuzim ne vlera monetare janë ballafaquar.

Hetimet nisën pas një kallëzimi penal të bërë nga vetë Posta Shqiptare, e cila gjatë kontrolleve të brendshme konstatoi parregullsi në administrimin e fondeve të shërbimeve të pagesave. Dëmi financiar përllogaritet mbi 700 mijë euro, por ka dyshime se mund të shkojë deri në 3 milionë euro.

Njoftimi i policisë:

“Në vijim të operacioneve për goditjen e krimeve ekonomike dhe financiare, Sektori për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me DVP Durrës dhe në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, finalizoi operacionin policor të koduar “Filiali”.

Në kuadër të operacionit u ndaluan shtetaset:

-E. M., 41 vjeçe, banuese në Durrës, me detyrë drejtoreshë e filialit të Postës Shqiptare Durrës;

-V. D., 59 vjeçe, banuese në Durrës, me detyrë shefe e financës në filialin e Postës Shqiptare Durrës;

-P. D., 39 vjeçe, banuese në Durrës, me detyrë arkëtare/llogaritare në filialin e Postës Shqiptare Durrës.

Ndalimi i tyre u bë në funksion të procedimit penal të regjistruar nga Prokuroria, për veprat “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, të kryera në bashkëpunim.

Nga hetimet dyshohet se, gjatë muajve prill dhe maj 2026, këto shtetase kanë përvetësuar shumën 69 milionë lekë të rinj, e cila ishte planifikuar të arkëtohej nga filiali i Postës Shqiptare Durrës, për degët Shijak dhe Krujë, me qëllim shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale për qytetarët e këtyre zonave.

Hetimet vijojnë për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore, të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”.

Posta Shqiptare, në reagimin e saj zyrtar, theksonte se fondet e dyshuara nuk kanë lidhje me pensionet apo pagesat e pensionistëve.

Institucioni njoftoi se ka marrë masa administrative ndaj punonjëseve dhe po bashkëpunon me Prokurorinë për zbardhjen e plotë të çështjes.

Njoftimi i Postës Shqiptare:

“Posta Shqiptare sh.a. informon opinionin publik se, në kuadër të mekanizmave të saj të kontrollit të brendshëm dhe procedurave të monitorimit financiar, Drejtoria e Përgjithshme, nëpërmjet Drejtorisë Ekonomike, bazuar në mospërputhje të konstatuara gjatë rakordimit të fondeve dhe raportimeve financiare, ka ushtruar një kontroll në Filialin Durrës.

Nga verifikimet e kryera janë evidentuar parregullsi dhe shkelje në administrimin e fondeve që lidhen me shërbimet e pagesave. Theksojmë se këto fonde nuk kanë asnjë lidhje me fondet e pensioneve apo me pagesat e pensionistëve.

Menjëherë pas konstatimit të këtyre parregullsive, Posta Shqiptare ka marrë masat e menjëhershme administrative ndaj punonjësve përgjegjës, si dhe ka referuar rastin pranë organit të Prokurorisë, duke depozituar kallëzim penal të shoqëruar me dokumentacionin përkatës.

Posta Shqiptare po bashkëpunon plotësisht me organet ligjzbatuese, duke vënë në dispozicion çdo informacion dhe dokumentacion të nevojshëm për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit. Vlerësimi i përgjegjësive individuale dhe ndërmarrja e hapave të mëtejshëm proceduralë i takojnë organeve kompetente të drejtësisë.

Ky rast dëshmon funksionimin efektiv të mekanizmave të kontrollit të brendshëm të Postës Shqiptare, të cilët mundësuan evidentimin e parregullsive dhe referimin e menjëhershëm të tyre nga vetë institucioni pranë organeve kompetente.

Posta Shqiptare mbetet e vendosur në zbatimin e një politike të tolerancës zero ndaj çdo shkeljeje të ligjit, shpërdorimit të detyrës apo abuzimit me fondet e institucionit. Integriteti, transparenca dhe mbrojtja e interesit publik mbeten prioritete të panegociueshme të institucionit”.

Të Fundit