Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për komentet dhe vlerësimet negative online, teksa këtë herë ka ndarë një video me review negative për Kalanë e Rozafës në Shkodër.
Kreu i qeverisë ka deklaruar se publikime të tilla po dëmtojnë turizmin, ndërsa ka uruar që prokuroria të veprojë sa më shpejt ndaj atyre që ai i cilëson si dhunues të pronës publike e private dhe shantazhues të qytetarëve.
“PO ME KALANË E ROZAFËS çfarë keni o patriota apo ta shkatërrojmë sa të mundemi turizmin, se duhet t’i përzemë të huajt dhe të kthehemi tek koha kur hanim njëri-tjetrin ëëë?! Uroj që prokuroria të veprojë një orë e më parë me këta dhunues të pronës publike e private dhe shantazhues të qytetarëve të këtij vendi”, shkruan Rama.



