Gjykata e Vlorës këtë të hënë ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për Granit Pepnikën, i cili u arrestua 3 ditë më parë në Dhërmi. Ai akuzohet për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”.
Arrestimi i tij erdhi pas një operacioni të Policisë së Vlorës, ku efektivët e veshur me rroba plazhi ndërhynë për arrestimin e tij. Operacioni u zhvillua në zonën e Drimadhës, ku u arrestuan Pepnika, Redion Rexhmati dhe Xhoni Hitaj.
E njëjta masë sigurie, “Arrest në burg”, është caktuar edhe për Hitaj, i akuzuar gjithashtu për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”, si dhe për Rexhmatin, i cili akuzohet për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Sipas burimeve, Granit Pepnika dhe Xhoni Hitaj ishin shpallur në kërkim që prej muajit prill, pasi Gjykata e Tiranës kishte caktuar më herët ndaj tyre masën e sigurisë “Arrest në burg” në kuadër të hetimeve për këtë çështje.
Pepnika ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar ndërsa kishte një masë arresti nga gjykata i dyshuar për përfshirje në mashtrime me përfitime të mëdha financiare nëpërmjet skemave të call center-ave.
Gjatë kontrollit në vilën ku qëndronin, policia sekuestroi një armë zjarri pistoletë dhe një sasi lënde narkotike, e dyshuar cannabis sativa.



