Protesta e mbajtur një ditë më parë para Parlamentit u përshkallëzua në tensione e përplasje. Protestuesi Altin Hila i cili u arrestua nga policia, ka prekur zemrat e shqiptarëve.
Është hapur një fushatë në platformën GoFundMe për të mbështetur financiarisht Altin Hilën dhe familjen e tij, pas arrestimit të tij.
Sipas organizatorëve të nismës, Hila kishte marrë pjesë për 32 ditë radhazi në protestat e mbajtura në Tiranë, i shoqëruar nga djali i tij, i cili ka status invaliditeti.
Në pamje të publikuara në rrjetet sociale, ai shihet duke ushqyer të birin gjatë protestës përmes një shiringe të lidhur direkt me stomakun.
Organizatorët pretendojnë se familja ndodhet prej kohësh në vështirësi ekonomike dhe se Hila u dhunua nga Policia e Shtetit gjatë protestës, përpara se të arrestohej, duke e rënduar më tej situatën e familjes.
“Në shenjë solidariteti me atdhetarin tonë Altin Hila, po organizojmë këtë mbledhje fondesh për të lehtësuar sadopak situatën e familjes së tij”, thuhet në përshkrimin e fushatës.
Sipas të dhënave të publikuara në GoFundMe, deri tani janë mbledhur mbi 95 mijë euro nga donatorë të ndryshëm për të ndihmuar familjen Hila.
Në përshkrimin e fushatës thuhet gjithashtu se, sipas organizatorëve, shteti nuk e ka mbështetur ekonomikisht familjen ndër vite dhe se arrestimi i Hilës e ka lënë atë në një situatë edhe më të vështirë, për shkak të mungesës së tij pranë familjes.



