Franca ka regjistruar 74 vdekje nga nbytja që nga 18 qershori, ndërsa vendi vazhdon të përballet me një valë të nxehti dhe temperatura jashtëzakonisht të larta që kanë tensionuar shërbimet e urgjencës dhe sistemin shëndetësor, tha Ministri i Brendshëm francez Laurent Nunez.
Ai i tha gazetës “Parisien” se shumica e mbytjeve ndodhën në zona të paorganizuara dhe të pasigurta për not, si lumenj, liqene dhe pellgje, ndërsa u regjistruan edhe raste në pishina private.
Núñez deklaroi gjithashtu se në rajonin Ile-de-France (rajoni i Parisit), u regjistrua një rritje e konsiderueshme e ndërhyrjeve të shërbimeve emergjente për shkak të problemeve shëndetësore që lidhen me nxehtësinë.
“Të dhënat e fundit tregojnë një rritje prej 122 përqind të numrit të ndërhyrjeve krahasuar me vitin 2025”, tha ai.
Ndërkohë, siç raportohet nga BFM TV, vala e të nxehtit në Francë po dobësohet ngadalë në perëndim të vendit, por temperaturat e larta vazhdojnë në disa rajone, ndërsa 37 departamente janë ende në nivelin më të lartë të paralajmërimit meteorologjik.
Për shkak të kushteve të pafavorshme të motit, një numër ngjarjesh u anuluan gjatë fundjavës për të ulur presionin mbi shërbimet e urgjencës dhe spitalet.
Sipas shërbimeve meteorologjike, gjatë ditës në Francë u vendosën ose u barazuan 202 rekorde temperaturash, dhe në disa vende temperaturat arritën vlera ekstreme, përfshirë 43.2 gradë Celsius në departamentin Meuse.



