Tentoi të përplaste me makinë nënën e bashkëjetueses, arrestohet 28-vjeçari në Lezhë

Një 28-vjeçar është arrestuar nga Policia e Lezhës, pasi dyshohet se tentoi të vriste nënën e bashkëjetueses së tij duke e goditur me automjet.

Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:05 të së shtunës, në lagjen “Skënderbeg” në Lezhë. I riu, i identifikuar me inicialet C. B., banues në Tiranë, kishte shkuar për të marrë bashkëjetuesen, por në atë moment kanë dalë familjarët e saj. Për motive që lidhen me marrëdhëniet familjare, ai dyshohet se ka përplasur me automjet nënën e saj, K. H., 43 vjeçe, duke i shkaktuar dëmtime trupore, e më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Falë reagimit të menjëhershëm të strukturave të Policisë dhe operacionit të koduar “Reagimi”, autori i dyshuar u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga.

43-vjeçarja u transportua në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku vijon të marrë ndihmë mjekësore.

Policia sekuestroi automjetin e përdorur në ngjarje si provë materiale, ndërsa ndaj 28-vjeçarit rëndon akuza për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme.

Të Fundit