SPAK njoftoi sot goditjen e një tjetër grupi kriminal që kishte investuar paratë e drogës në blerjen e pronave e kompanive të ndryshme në Tiranë e vende të tjera të Shqipërisë. Mes 10 urdhërave të arrestit, dy prej emrave rezultojnë tepër të njohur për përfshirjen e tyre në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Bëhet fjalë për Dritan Gjikën dhe Eldi Dizdarin alias Denis Matoshi, të dy me lidhje të ofrta në Amerikën Latine. Aktualisht të dy dyshohet se janë të arrestuar nga autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe prej më shumë se një viti.
Dritan Gjika, 47-vjeç, mbërriti për herë të parë në Ekuador në vitin 2009 me vizë vizitori të përkohshëm, sipas të dhënave të tij të migracionit. Ai u bë një nga personat më të kërkuar në vend, pasi udhëhiqte një organizatë kriminale që operonte si në Ekuador ashtu edhe në Spanjë, duke dërguar sasi të mëdha të substancave të kontrolluara në vendet e Amerikës Qendrore dhe në Europë (në veçanti në Holandë, Belgjikë dhe Spanjë).
Nga ana tjetër, Dizdari ose Denis Matoshi është emër i njohur në Shqipëri për përfshirjen në trafikun e drogës, ndërsa është përmendur edhe për përplasjen e ndodhur në ish-Bllok në 2018-ën ku dyshohet se ish-mbreti i lojërave të fatit, Ervis Martinaj u përfshi në konflikt me Ervin Matën për shkak të debateve që ky i fundit kishte patur me Dizdarin. Dizdari doli në skenë edhe pas arrestimit të Arbër Cekajt, i dënuar mr 14 vite burg për trafikimin e 613 kilogramëve kokainë, që u kapën në Maminas më 2018, për shkak të lidhjes së afërt të gjakut me të. Autoritetet shqiptare kanë sekuestruar edhe më herët disa pasuri të Dizdarit.



