I mituri humbi jetën në pishinë, arrestohet pronari i kompleksit në Gjirokastër, shoqërohen 7 persona

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë e ndodhur një ditë më parë në Gjirokastër, ku 15-vjeçari A. P humbi jetën teksa po lahej në një pishinë private pranë fshatit Mashkullor.

Sipas informacioneve të siguruara nga gazetari Vangjel Shumeli, është arrestuar pronari, njëherësh administratori i kompleksit të pushimit ku ndodhi tragjedia. Bëhet fjalë për shtetasin E.K., i cili, sipas hetimeve paraprake, mbulonte edhe funksionin e përgjegjësit për sigurinë në ambientet e pishinës.

Arrestimi i tij është kryer me urdhër të Prokurorisë së Gjirokastrës për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë paradites së të mërkurës (10 qershor) në një kompleks pushimi përgjatë aksit nacional Gjirokastër-Tepelenë. Sipas të dhënave paraprake, adoleshenti kishte shkuar në pishinë së bashku me dy shokë të tij. Edhe pse njihej si notar i mirë, ai dyshohet se është ndier keq menjëherë pas kontaktit me ujin dhe ka mbetur në fund të pishinës. Pavarësisht ndërhyrjes dhe dhënies së ndihmës së parë, 15-vjeçari nuk mundi të mbijetojë.

Hetimet paraprake kanë ngritur dyshime se shkaku i vdekjes mund të ketë qenë një infarkt ose arrest kardiak, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar. Për përcaktimin e shkaqeve të sakta pritet raporti i ekspertizës mjekoligjore.

Pas ngjarjes, policia ka shoqëruar për t’u marrë në pyetje shtatë persona, mes tyre dy shokët që ndodheshin me viktimën dhe disa anëtarë të stafit të kompleksit.

Ndërkohë, hetimet janë shtrirë edhe ndaj subjektit që administron pishinën, për të verifikuar nëse janë respektuar kushtet ligjore të funksionimit dhe standardet e sigurisë, përfshirë praninë e personelit të specializuar për shpëtimin në raste emergjente.

Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike që tronditi komunitetin e Gjirokastrës.

Të Fundit