Vrasja e efektivit Enea Mekolli, ministri Lamallari: Shpërblim financiar për familjen e tij dhe të Edison Adrit

Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme ka miratuar shpërblim financiar për policin e rënë në krye të detyrës, Enea Mekolli, si dhe për efektivin e plagosur, Edison Adri. Përmes një deklarate, ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, tha se sakrifica e tyre në përballjen me krimin nuk do të harrohet.

Krahas shpërblimit, fëmija i Mekollit, do të përfitojë trajtim tjetër financiar të përmuajshëm derisa të shkojë në moshë madhore, sipas Ligjit “Për statusin ‘Fëmijë në Përkujdesje të Republikës’”.

“Në mbledhjen e sotme të Qeverisë miratuam vendimet për mbështetjen financiare të familjeve të dy efektivëve; Dëshmorit të Atdheut, Enea Mekolli dhe Edison Adrit, i cili mbeti i plagosur në përballjen me krimin. Përkatësisht do të akordohen 5 dhe 3 milionë lekë të reja për familjet e tyre.

Asnjë ndihmë nuk mund të zbusë dhimbjen për ngjarjen e rëndë, por shteti ka detyrimin të qëndrojë pranë familjeve të tyre, me respekt, mirënjohje dhe mbështetje konkrete. Sakrifica e tyre nuk do të harrohet.

Krahas vendimit të sotëm, Ministria e Punëve të Brendshme po ndjek të gjitha procedurat ligjore për trajtimin e familjes së Dëshmorit të Atdheut Enea Mekolli sipas Ligjit “Për statusin ‘Fëmijë në Përkujdesje të Republikës’”, tha ai.

Efektivi i policisë, Enea Mekolli u vra dhe kolegu i tij Edison Adri u plagos gjatë një operacioni për arrestimin e të shumë kërkuarit Violand Braçellari. Ky i fundit hapi zjarr ndaj policies duke i marrë jetën efektivit Mekolli.

Sipas të dhënave nga dosja hetimore, efektivi Mekolli nuk ka shkrepur asnjë plumb nga kallashnikovi i tij, pasi është qëlluar nga autori Violand Braçellari menjëherë sapo ky i fundit e ka parë atë ndërsa shkëmbimi i zjarrit ka ndodhur mes Braçellarit dhe efektivëve të tjerë të policisë.

Plani operacional erdhi pas një kallëzimi të bërë nga shtetasi A.K., 32 vjeç, i cili kishte disa ditë që punonte si çoban në bagëtitë e Violand Braçellari në malin e Bodesë.

Ai kallëzoi se ishte dhunuar dhe kanosur me qytë të një arme automatike nga ana e Braçellarit. Sipas tij, Braçellari qëndronte te stallat e bagëtive dhe dyshohej se dispononte armë automatike dhe një armë gjuetie.

Të Fundit