Në 5 maj transmetuam problemin e zonjës Gresilda Malecaj në Lezhë, e cila, me ndihmën tonë, mundi të pajiset me certifikatë pronësie për dy dynymë ullishte në dhjetor 2025. Por më pas ajo u përball me vështirësi, për ta marrë konkretisht pronën e saj, të uzurpuar nga dy shtetas, Gjergj dhe Saimir Simoni, të cilët jo vetëm kishin ndërtuar banesa në atë zonë, por i kishin legalizuar ato. Përtej gjurmës së ndërtesave, ata morën në përdorim edhe një pjesë të konsiderueshme të truallit, që i përket zonjës Malecaj.Situata u përkeqësua, pasi Gresilda u përball edhe me kërcënime, për të mos iu afruar pronës së saj. Në përpjekje për të gjetur një zgjidhje pa konflikt, Gresilda Malecaj kërkoi ndihmën e Bashkisë Lezhë, për të bërë përcaktimin e saktë të kufijve të pronës, duke kërkuar, që të respektohen edhe banesat ekzistuese.Megjithëse u ngrit një grup pune dhe u kryen verifikime në terren, në përfundim asaj iu komunikua, se kërkesa nuk ishte e saktë, duke e lënë sërish pa zgjidhje. Gresilda paraqiti kërkesë të re, dhe pas ndërhyrjes së “Stop”, kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, u shpreh publikisht, se rasti do të ndiqej deri në fund dhe qytetarja do të marrë atë, që i takon.Më në fund kjo ndodhi dhe Gresilda falenderon edhe për zgjidhjen finale të caktimit të kufijve të pronës së saj.




