Rudina Zaimi iu drejtua emisionit “Stop” për një problem të pazakontë. Ajo thotë, se është martuar me Çlirimin që në vitin 1995, por në regjistrat e gjendjes civile rezulton beqare.Sipas Rudinës, ajo është me origjinë nga Maminasi dhe më pas ka qenë banore e Njësisë Administrative nr. 7 në Tiranë. Martesa, sipas saj, është regjistruar në ish-Zyrën e Gjendjes Civile të Njësisë nr. 9, pranë godinës së “Zërit të Popullit”. Megjithatë, sot ajo nuk rezulton e martuar në asnjë prej regjistrave, ku ka kërkuar informacion. Rudina shprehet, se është interesuar në Maminas dhe në Skrapar, por askund nuk figuron e martuar. Më pas është drejtuar në Njësinë Administrative nr. 7, ku gjithashtu nuk ka gjetur zgjidhje. Dokumenti i vetëm, që disponon është një vërtetim i lëshuar vite më parë nga Njësia nr. 9, ku rezulton e martuar dhe nënë e dy fëmijëve. Sot, sipas saj, edhe kjo zyrë e mohon ekzistencën e të dhënave.Me humor Rudina thotë, se nuk do, që institucionet ta ndajnë nga bashkëshorti, pasi edhe pas 30 vjetësh e do të shoqin. Në Njësinë Administrative nr. 7, zyrtarët konfirmojnë se kanë ndjekur rastin, por sipas verifikimeve të tyre Rudina nuk rezulton e martuar në sistem. Sipas tyre, zgjidhja mund të kërkohet vetëm përmes gjykatës.Në Bashkinë e Tiranës vlerësohet, se çështja shkon përtej kompetencave të zyrës lokale dhe se zgjidhja duhet kërkuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile.
Shprehjet popullore dhe fjalët e vjetra u bënë objekt i intervistave tona me qytetarët. Me nota humori, i pyetëm qytetarët, nëse i njihnin dhe si i kuptonin fjalë si “qerrata dollap”, “siklet milet”, “kolltuk pasha”, apo “Dallaver qatip”.Përgjigjet ishin nga më të ndryshmet. Disa qytetarë i shpjeguan disi, duke treguar, se i kishin dëgjuar, që nga fëmijëria nga gjyshërit e tyre. Të tjerë u përpoqën t’u gjenin kuptim përmes humorit, duke krijuar interpretime krejt origjinale dhe argëtuese.
Pak kohë më parë kemi transmetuar shqetësimin e zotit Ferit Milanj, vjehrri i të cilit, Aliu, kishte një problem të pazgjidhur me faturimin e energjisë për muajin mars 2012, kur në menaxhim ishte kompania CEZ. Vlera e faturimit është 1 milionë e 620 mijë lekë të vjetra. Me kamatë vonesë shuma ka vajtur 3 milionë e 216 mijë lekë. Në librezë vlera reale e konsumit është 15 mijë lekë të vjetra. Feriti thotë, se i është drejtuar ERE-s dhe është kërkuar ndjekja e problemit nga ana e OSHEE-së.Në vitin 2019 OSHEE përgjigjet, duke thënë, se për shkak të keqmenaxhimit të arkivit të CEZ-it, nuk mund të gjykohet mbi procedurat e ndjekura.Pas ndërhyrjes sonë, Ardian Kola, drejtori për median pranë OSHEE-së, shpjegon, se u hapën arkivat dhe më në fund qytetari nuk ka asnjë detyrim ndaj kompanisë.




