STOP-EMISIONI 189(Sezoni 11) 28 Maj 2026-“S’e kuptoj, se ka rruge e trotutar afer”, saga 20 vjecare per legalizimin e baneses

Në Fier, prej më shumë se dy dekadash, Agim Lala endet nëpër dyert e institucioneve për të legalizuar ndërtesën e tij 5-katëshe, të ndërtuar që në vitin 1999. Në vitin 2006 ai bëri vetëdeklarimin, duke ndjekur të gjitha procedurat e kërkuara, por që prej vitit 2008 e deri më sot, përgjigjet kanë qenë të njëjta: premtime për matje dhe pagesa, pa asnjë përfundim. Në vitin 2017 iu komunikua, se procedura e legalizimit ishte drejt përfundimit. Por pas kësaj, gjithçka u bllokua sërish. Në komunikimet e fundit me Kadastrën, në vitin 2024, Agimi mori një tjetër përgjigje zhgënjyese. Matjet e fundit ishin bërë në vitin 2018 dhe tashmë konsideroheshin të pavlefshme, duke kërkuar nisjen e procesit nga e para. Që prej asaj kohe, nuk ka marrë më asnjë përgjigje.I moshuar dhe i lodhur nga pritja, Agimi shprehet, se nuk e di sa kohë do t’i duhet ende për të legalizuar pronën, që dëshiron t’ua lërë trashëgim fëmijëve të tij.Pas interesimit pranë Kadastrës së Fierit, drejtori pranoi, se ekziston dyshimi, se ndërtesa mund të prekë rrugën ose trotuarin. Sipas tij, janë kryer disa matje ndër vite, por për shkak të hartave të vjetra dhe të paazhornuara, nevojiten verifikime të reja, për të arritur në një përfundim të saktë.

Edhe teknologjia të le në baltë. Një robot-balerin, që premtonte të mahniste publikun, përfundoi në një skenë paniku. Roboti, që deri në atë moment lëvizte me ritëm perfekt, papritur filloi të bëjë lëvizje të çuditshme, duke bërë, që të ndërhynte menjëherë stafi i lokalit për ta ndaluar. Në një tjetër show, me protagonist një robot, ky i fundit, pa dashje goditi një fëmijë.

Jemi në Tiranë për historinë e Bujar Luzit dhe fqinjës së tij, Fatmira Hysa. Bujari, një ish-ushtarak, tregon, se pas viteve ’90 u sistemua në banesën, ku jeton edhe sot. Në mirëbesim me fqinjin ngjitur, paraardhësin e zonjës Hysa, ata ranë dakord për një shkëmbim të vogël hapësire. Secili i dha tjetrit disa metra, për të përmirësuar kushtet e banimit. Si rezultat, Bujari zgjeroi dhomën e gjumit, ndërsa fqinjit iu shtua hapësirë në korridor.Për vite me radhë, kjo marrëveshje funksionoi pa probleme. Por kur Bujari u drejtua, për të nxjerrë certifikatën e pronësisë, doli se në dokumentet zyrtare, prona e regjistruar në emër të Fatmira Hysës rezultonte e futur rreth 20 metra katrorë në hapësirën, që ai e përdorte realisht. Kjo mbivendosje në letra e bëri të pamundur certifikimin e pronës.Mosmarrëveshjet mes tyre kanë zgjatur për një kohë të gjatë, pasi palët nuk gjenin gjuhën. Megjithatë, pas ndërhyrjeve dhe përpjekjeve për zgjidhje, Fatmira Hysa pranoi të bashkëpunojë për të rregulluar problemin.Tashmë, të dy palët janë dakord t’i drejtohen noterit, për të hartuar një deklaratë noteriale, ku secili do të pranojë kufijtë realë të pronës dhe do të deklarojë, se nuk ka pretendime ndaj tjetrit. Kjo pritet t’i hapë rrugën korrigjimit të dokumenteve në kadastër dhe zgjidhjes përfundimtare të konfliktit.

Të Fundit