Jemi në Elbasan, ku Policia e Qarkullimit Rrugor nuk ka zbatuar një vendim gjykate, duke sjellë përplasje mes qytetarit dhe institucioneve. Gjergji Gega shpjegon, se problemi lidhet me të birin, i cili në tetor 2025 i kishte shitur automjetin e tij tip “Benz” një komshiu në mirëbesim. Automjeti është ndaluar nga Policia Rrugore Elbasan rreth orës 04:00 të mëngjesit dhe drejtuesi ka rezultuar i dehur.Policia ka sekuestruar mjetin dhe ka bllokuar edhe lejen e drejtimit të djalit të tij. Ndaj të riut është vendosur edhe një gjobë prej 500 mijë lekësh.Qytetari shprehet, se fillimisht pagoi gjobën dhe angazhoi një avokat për 700 mijë lekë, duke e çuar çështjen në Gjykatën Administrative Tiranë. Gjykata ka urdhëruar, që Policia e Elbasanit të lirojë lejen e drejtimit, por sipas denoncuesit, kjo nuk ka ndodhur. Policia e Qarkullimit Rrugor Elbasan ka kërkuar, që dokumenti të vijë zyrtarisht ose të dorëzohet një vendim i shkurtuar për ekzekutim.Gazetarja e “Stop” ka kontaktuar edhe përfaqësues të sektorit për patentat, përfshirë Alfred Karaj, i cili ka kërkuar që ankesa të dorëzohet zyrtarisht.Pas depozitimit të ankesës sonë, shoqëruar me vendimin e Gjykatës Administrative Tiranë, brenda një ore u bë i mundur kthimi i lejes së drejtimit për të birin e Gjergji Gegës.




