Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, paraditen e sotme vizitoi në Spitalin e Traumës punonjësin e Policisë së DVP Korçë, i cili, së bashku me kolegun, gjatë përmbushjes së detyrës për goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike, u dëmtuan si pasojë e përplasjes së qëllimshme të automjetit nga njëri prej personave që më pas u arrestua gjatë operacionit.
Në fjalën e tij, Hita uroi shërim të shpejtë për efektivët e dëmtuar dhe nënvizoi se puna e policisë shoqërohet me sakrifica dhe rrezik, sidomos në luftën kundër kriminalitetit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike. Ai garantoi mbështetje të plotë institucionale dhe financiare për punonjësit e plagosur në krye të detyrës.
Shkrimi i plotë i Hitës:
“Të uroj shërim sa më të shpejtë ty dhe kolegut tjetër, i cili fatmirësisht është më mirë dhe është larguar pranë banesës. Keni treguar përgjegjësi dhe profesionalizëm në kryerjen e detyrës.
Përmbushja e detyrës dhe e misionit tonë ka edhe rrezikun me vete, por kur kemi zgjedhur këtë mision, kemi marrë parasysh se të jesh në shërbim të ligjit dhe qytetarëve ka edhe sakrificë. E rëndësishme tani është të rikuperoheni plotësisht.
Sakrifica dhe përkushtimi i çdo punonjësi Policie do të vlerësohet maksimalisht nga unë, si Drejtor i Përgjithshëm, dhe do të jem përherë në krahun tuaj, sepse në këtë krah janë edhe qytetarët e ndershëm që na besojnë dhe na mbështesin.
Të shkuara dhe rri i qetë, sepse janë marrë të gjitha masat për trajtimin tuaj mjekësor dhe për trajtimin financiar nga Policia e Shtetit, pasi jeni dëmtuar në krye të detyrës.”



