Detaje të reja nga aksioni i SPAK në Tiranë, pjesë dhe anti-mafia italiane! Si vrau “koka e grupit” një parukier në Itali dhe tentoi të vriste politikanin

Detaje të reja nga aksioni i SPAK në Tiranë, pjesë dhe anti-mafia italiane! Si vrau “koka e grupit” një parukier në Itali dhe tentoi të vriste politikanin

Janë zbuluar detaje nga aksioni i SPAK të zhvilluar ditën e sotme, i cili është mësuar se po kryhet në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet italiane, konkretisht Drejtorinë Hetimore Antimafia të Barit, në kuadër të një operacioni të përbashkët të mbështetur dhe koordinuar nga Eurojust.

Që nga orët e para të mëngjesit, në Tiranë dhe në disa zona të tjera po zhvillohet një operacion i gjerë hetimor, ku janë të angazhuara SPAK dhe forca të Drejtorisë Hetimore Antimafia të Barit, si dhe Skuadra Mobile e Drejtorisë së Policisë së Andrias. Operacioni është pjesë e një Ekipi të Përbashkët Hetimor ndërkombëtar.

Hetimet po zhvillohen në dy drejtime kryesore. I pari lidhet me vrasjen e shtetasit italian Francesco Diviesti, ngjarje e ndodhur më 25 prill 2025 në Canosa të Pulias, në provincën Barletta-Andria-Trani. Drejtimi i dytë ka të bëjë me një grup të strukturuar kriminal me bazë në Tiranë, i dyshuar për pastrim ndërkombëtar parash, ku dyshohet se janë transferuar shuma të mëdha nga Italia drejt Shqipërisë.

Sipas të dhënave paraprake, hetimet kanë çuar në lëshimin e 10 masave të sigurisë, ndërsa deri tani janë ekzekutuar 4 urdhër-arreste. Mes të arrestuarve ndodhet edhe Ergys Kastrati, i cili rezultonte i kërkuar ndërkombëtarisht prej dy vitesh nga autoritetet shqiptare dhe italiane. Ai është ndaluar gjatë një ndërhyrjeje të forcave speciale në një vilë në një zonë rezidenciale në Tiranë. Disa prej personave ndaj të cilëve janë caktuar masa sigurie rezultojnë aktualisht jashtë vendit.

Sipas hetimeve, aktiviteti i dyshuar kriminal është dokumentuar nga Drejtoria Hetimore Antimafia e Barit, në bashkëpunim me autoritetet shqiptare dhe me mbështetjen e strukturave të specializuara të sigurisë në Tiranë. Operacioni vijon dhe priten detaje të tjera nga autoritetet ligjzbatuese në të dy vendet.

Igli Kamberi, që konsiderohet si kreu i grupit, krahas trafikut të drogës, akuzohet nga autoritetet se bashkë me 4 persona të tjerë kanë vrarë Francesco Diviesti, parukierin 26-vjeçar nga Barletta. Ai u zhduk më 25 prill 2025 dhe u gjet i vrarë dhe gjysmë i djegur 4 ditë më vonë.

Kamberi më 8 gusht të vitit 2015 u arrestua bashkë me një tjetër shtetas shqiptar, Artan Belliu. Ata u akuzuan si pjesë e një grupi që kishin planifikuar të vrisnin kryekëshilltarin e Partisë Demokratike të komunës së Barletës, Pasquale Ventura. Ngjarja tronditëse ndodhi më 20 janar të 2015-ës.

Të Fundit