Salianji letër PPE-së dhe ambasadave: Në PD po shkatërrohen standardet demokratike

Ervin Salianji i është drejtuar me një letër Presidentit të Partisë Popullore Europiane (PPE), Manfred Weber, si dhe përfaqësive diplomatike të vendeve partnere, duke ngritur shqetësime për zhvillimet e fundit në PD.

Në letrën e tij, Salianji shpreh shqetësimin se në PD po cenohet demokracia e brendshme, duke përmendur bllokimin e garës për kryetar, mungesën e transparencës, përjashtime të konsideruara arbitrare dhe mosrespektim të statutit të partisë.

Ai thekson se çështja nuk lidhet me një kandidim individual, por me mbrojtjen e standardeve demokratike dhe pluralizmit të brendshëm në partinë më të madhe opozitare në vend.

Sipas tij, në procesin e brendshëm janë evidentuar një sërë problematikash, përfshirë pengimin e kandidaturave, mosfunksionimin e zyrës për dorëzimin e dokumentacionit brenda afateve, si dhe përjashtime pa vendime të argumentuara statutore. Po ashtu, ai ngre pretendime për moszbatim të rregullave që lidhen me përgjegjësinë e drejtimit pas zgjedhjeve parlamentare.

Salianji i kërkon PPE-së një angazhim parimor për të nxitur dialogun e brendshëm dhe respektimin e rregullave statutore në PD duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së standardeve demokratike.

Në fund të letrës, ai rithekson angazhimin e tij për vlerat europiane, shtetin e së drejtës, pluralizmin politik dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Të Fundit