Avokati i Popullit nxjerr raportin vjetor: 5 burgje duhen mbyllur, cenojnë dinjitetin njerëzor!

Avokati i Popullit ka publikuar raportin vjetor mbi gjendjen e respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, për 2025-ën, ku ka kritikuar gjendjen në sistemin penitenciar shqiptar.

Në raport, Avokati i Popullit ka kërkuar mbylljen e pesë burgjeve që, sipas institucionit, cenojnë dinjitetin njerëzor dhe afrohen me standardin e trajtimit degradues. Bëhet fjalë për institucionet e vuajtjes së dënimit në Burrel, Kosovë-Lushnjë, Kukës, si dhe burgjet “Mine Peza” (302) dhe “Jordan Misja” (313).

Gjetjet bazohen në inspektimet e kryera në 18 IEVP gjatë vitit 2025, si edhe në 115 ankesa të trajtuara nga të burgosur dhe familjarët e tyre.

Sipas raportit, mbipopullimi mbetet një tjetër nga problemet më të mëdha në disa institucione. Situata më kritike paraqitet në IEVP Lezhë, ku mbipopullimi arrin në 65%, ose 181 persona mbi kapacitetin e parashikuar. Ndërkohë, në burgun “Jordan Misja” mbipopullimi është 11%, në Vlorë 10% dhe në Fushë-Krujë 2.4%.

Shqetësuese paraqitet edhe situata e kujdesit shëndetësor. Në shumicën e burgjeve thuhet se nuk ka mjekë me kohë të plotë dhe, aty ku janë të pranishëm, shërbimi ofrohet vetëm katër orë në ditë. Raporti evidenton mungesën e autoambulancave, vështirësitë për konsulta specialistike, si dhe refuzimin e trajtimit të të burgosurve nga spitalet rajonale për arsye sigurie. Gjithashtu, Shqipëria nuk ka një institucion të specializuar për trajtimin e të burgosurve me probleme të shëndetit mendor

Institucioni i Avokatit të Popullit i kërkon Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë rishikimin e politikës së paraburgimit, hartimin e një plani të menjëhershëm për kujdesin shëndetësor në burgje dhe mbylljen e pesë institucioneve të identifikuara deri në rikonstruktimin e plotë të tyre.

Avokati i Popullit: 5 burgje shqiptare duhen mbyllur. Cenojnë dinjitetin njerëzor

Në Lezhë, mbipopullimi i burgjeve arrin 65%. Të paraburgosurit kalojnë mesatarisht më shumë se 8 muaj në qeli pa qenë të dënuar.

Avokati i Popullit ka konstatuar se trajtimi i personave të privuar nga liria në pesë institucione penitenciare të vendit afrohet me standardin e trajtimit degradues. Kjo është një shkelje flagrante e Kushtetutës dhe e detyrimeve ndërkombëtare të Shqipërisë. Gjetjet bazohen në inspektime në 18 IEVP gjatë vitit 2025 dhe në 115 raste ankesash të trajtuara nga institucioni.

“Kur shteti i mban të dënuarit në kushte degraduese, nuk po i ndëshkon, por po i poshtëron. Mbyllja e këtyre pesë institucioneve është detyrim kushtetues,”-tha Avokati i Popullit, Endrit Shabani.

Tre shifrat kryesore

• 5 burgje duhen mbyllur: Burrel, Kosovë-Lushnjë, Kukës, “Mine Peza” (302), “Jordan Misja” (313).

• 65% mbipopullim në IEVP Lezhë, 181 të burgosur mbi kapacitetin e planifikuar.

• 253 ditë mesatarja e qëndrimit në paraburgim, pra më shumë se 8 muaj në qeli pa qenë i dënuar.

Realiteti njerëzor pas shifrave

Në shumicën e institucioneve, të dënuarit dhe të paraburgosurit i mbajnë rrobat dhe sendet personale në qese plastike, sepse nuk ka dollapë. Mjeku është prezent vetëm katër orë në ditë. Spitalet rajonale shpesh refuzojnë trajtimin e të burgosurve për “arsye sigurie”. Për personat me probleme të shëndetit mendor nuk ekziston asnjë institucion i specializuar mjekësor, megjithëse ata aktualisht mbahen në IEVP-në e Shën Kollit.

Gjatë vitit 2025, Avokati i Popullit ka trajtuar 115 raste të paraqitura nga të burgosur dhe familjarët e tyre.

Mbipopullimi, i lokalizuar, jo kombëtar

Në total, sistemi penitenciar është nën kapacitet (5.029 të burgosur dhe 5.747 vende gjithësej = 87%). Por shpërndarja është thellësisht e pabarabartë:

• IEVP Lezhë: +65% (181 persona mbi kapacitet)

• IEVP “Jordan Misja”: +11% (55 persona)

• IEVP Vlorë: +10% (16 persona)

• IEVP Fushë-Krujë: +2,4% (9 persona)

56,8% e popullsisë penitenciare janë në paraburgim, pra mbahen në burg megjithëse ende janë të padënuar. Ky është një tregues që cenon parimin e prezumimit të pafajësisë.

Kushtet që cenojnë dinjitetin

Inspektimet kanë konstatuar:

• Ambiente të amortizuara, pa ajrim, ndriçim apo ngrohje të mjaftueshme.

• Të burgosur që mbajnë sendet personale në qese plastike sepse nuk ka dollapë.

• Mungesë e produkteve bazë të higjienës dhe detergjentëve për pastrimin e qelive.

• Sisteme ngrohjeje e ftohjeje jofunksionale, sidomos në mot ekstrem.

• Mungesë larmishmërie dhe sasie të pamjaftueshme në ushqim.

• Mundësi të kufizuara për aktivitete social-kulturore dhe rehabilitim.

Kujdesi shëndetësor: reagim ndaj emergjencave, jo shërbim i vazhdueshëm

• Asnjë mjek me kohë të plotë në shumicën e IEVP-ve. Aty ku ka mjek, qëndrojnë vetëm 4 orë në ditë.

• Mungesë autoambulancash dhe vështirësi për konsulta me specialistë.

• Spitalet rajonale refuzojnë trajtimin për “arsye sigurie”.

• Mungesë e shërbimit stomatologjik dhe e medikamenteve bazë.

• Asnjë institucion i specializuar për të burgosurit me probleme të shëndetit mendor.

Çfarë kërkon Avokati i Popullit

Avokati i Popullit i kërkon Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë:

1. Rishqyrtim të politikës së paraburgimit. 56,8% të padënuar është një shifër e papranueshme në një shtet që pretendon respektimin e prezumimit të pafajësisë.

2. Plan të menjëhershëm për kujdesin shëndetësor në burgje, përfshirë ngritjen e një institucioni të specializuar mjekësor për të burgosurit me probleme të shëndetit mendor.

3. Mbyllje të pesë IEVP-ve të identifikuara deri në rikonstruktimin e plotë të tyre, dhe një rivlerësim kombëtar të kapaciteteve të sistemit penitenciar.

Të Fundit