Në vitin 1998, piktori Mikalis Cubi bleu nga Ilir Pojani një studio pikture prej 35 metrash katrorë, të përfituar më herët nga Bashkia e Tiranës. Por, kur aplikoi për certifikatën e pronësisë, rezultoi, se në dokumente, kishte vetëm 10 metra katrorë.Verifikimet treguan, se në vitet ’90, dy studio nga 35 metra iu dhanë Ilir Pojanit dhe Gazmend Lekës, ndërsa ambientet e përbashkëta ishin vetëm në përdorim. Në momentin e shitjes, Ilir Pojani kishte përfshirë gabimisht edhe pjesë të këtyre ambienteve, duke bërë, që Gazmend Leka të rezultonte me 60 metra në certifikatë, ndërsa Mikalis Cubi me vetëm 10. Sipas Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, problemi erdhi nga transkriptimet e gabuara ndër vite. Specialistja Evdhoksia Xoxi, sqaroi, se palët mund ta zgjidhin situatën me një deklaratë të përbashkët, duke njohur nga 35 metra katrorë secili dhe më pas të korrigjohen certifikatat e pronësisë.
Kemi pyetur qytetarët për rolin e gruas në familje dhe sa e dëgjon burri gruan. Disa burra u shprehën, se pa grua nuk ka jetë.Por ka edhe nga ata, që mendojnë, se burri duhet të jetë autoriteti absolut në shtëpi. Një tjetër shkoi edhe më tej duke thënë, se gruaja është shërbëtore. Mes batutave, qytetarët dhanë opinione për raportin burrë grua, duke thënë madje, se gruaja duhet dëgjuar, nëse nuk do, që të hash dajak.
Në 8 maj transmetuam një rast tragjik, ku 70-vjeçarja Afërdita Krasta tregoi, se kishte humbur banesën e saj, si pasojë e një zjarri të madh, ku ndërroi jetë edhe vëllai i saj. Prej rreth 40 ditësh, ajo jeton pa një çati mbi kokë, duke u strehuar herë pas here te fqinjët.Infermierja e lagjes, Mimoza Xhamaqi, tha, se e moshuara ndodhet në gjendje të vështirë dhe pa mbështetje. Sipas saj, Afërdita nuk ka as kushtet minimale të jetesës dhe vuan edhe nga shumë sëmundje.Grupi ynë i xhirimit konstatoi, se banesa ishte shkatërruar pothuajse plotësisht nga zjarri, ndërsa fqinjët e kanë ndihmuar duke i siguruar lidhje elektrike dhe kushte minimale higjieno-sanitare. Megjithatë, e moshuara refuzon të hyjë në shtëpi për shkak të traumës.Pas ndërhyrjes mediatike, rasti u referua te institucionet sociale, të cilat kanë bërë me dije, se dokumentacioni është dërguar në strukturat e Emergjencave Civile për vlerësimin e dëmit, ndërsa po pritet përfundimi i ekspertizës lidhur me viktimën. Pas këtij transmetimi, të shumtë kanë qenë qytetarët, që janë ofruar për të ndihmuar të moshuarën. JB elektronics, një subjekt në Tiranë, një qytetar në SHBA, një tjetër nga Tirana, nga Lushnja, një zonjë nga Elbasani, familja Cota në Librazhd, kanë sjellë të gjithë ndihma, sipas mundësive për Afërditën.




