Mbrëmjen e djeshme transmetuam një ngjarje të rëndë në shkollën 9-vjeçare “Isa Boletini” në Kamëz, pranë zonës së njohur si “Instituti Bujqësor”. Disa prindër denoncuan sjelljen e mësueses kujdestare Rudina Mbjeshova ndaj nxënësve të klasës së parë, duke thënë, se fëmijët ofendohen dhe bullizohen vazhdimisht gjatë orës së mësimit. Emisioni “Stop” monitoroi për disa ditë situatën në klasë, duke dokumentuar një sërë episodesh me gjuhë fyese dhe kërcënuese nga ana e mësueses. Në komunikimet e saj me nxënësit, ajo përdori etiketime të rënda si “budallenj”, “torollakë”, “të paedukatë”, “mistreca”, madje duke shkuar deri në shprehje ekstreme, si “vdeksh” apo “vrit veten”.Në disa raste, mësuesja kërcënonte nxënësit me ndëshkime, përjashtime apo nota të ulëta, duke krijuar një ambient frike dhe presioni psikologjik. Sot nëna e një fëmije të keqtrajtuar ka shkuar në shkollë dhe është përballur me kërcënimin e mësueses.Nëna tregon, se ka bërë denoncim në komisariatin nr. 3 në Tiranë, ndërsa akuzon edhe drejtoreshën e shkollës, se ka patur dijeni për situatën e rëndë.Ministria e Arsimit ka reaguar, duke pezulluar nga puna mësuesen Rudina Rudina Mbjeshova e duke ngritur një grup kontrolli për verifikimin e gjithë situatës.
Sot është përkujtuar ditëlindja e heroit tonë kombtar Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ditën e djeshme transmetuam një video, që tregonte, se stadiumit “Dinamo”, i kishte mbirë bari. Sot qysh në mëngjes, makineritë kanë nisur korrjen e barit.
Në 28 prill transmetuam denoncimin e zonjës Aishe Kapri, gjyshja e një fëmije 3-vjeçar, që ndodhet në Shtëpinë e Foshnjës në Shkozet. Ajo tha, se djali i saj është dënuar me burg dhe ka lënë pas katër fëmijë, të vendosur në institucione shtetërore, pasi gjykata ka vlerësuar, se e ëma nuk është e aftë të kujdeset për ta. Gjyshja ka kërkuar të marrë në kujdestari nipin e saj të vogël, por kërkesa i është refuzuar për shkak të kushteve ekonomike. Në këtë institucion, një sanitare tregoi, se fëmijët keqtrajtohen dhe dhunohen. Sipas saj, 3-vjeçari është parë me shenja të dyshimta, të cilat ajo i ka fotografuar dhe ia ka raportuar drejtoreshës së institucionit. Ajo thotë gjithashtu se i është kërkuar të mos informojë gjyshen për situatën. Pas këtyre denoncimeve, ndaj saj është marrë masa e transferimit nga institucioni. Drejtoresha e Shtëpisë së Foshnjës në Shkozet i mohoi akuzat për dhunë ndaj fëmijëve. Menjëherë pas transmetimit Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet, lidhur me këtë rast. Ndërkohë denoncime të reja kanë mbërritur në redaksinë tonë lidhur me kualifikimin e stafit.Nga biseda që ne bëmë me drejtoreshën, ajo thotë se kujdestaret janë me arsim të mesëm, edukatorja me arsim të lartë dhe njëra infermiere me shkollë e tjetra me kurs profesional.




