Jemi në Kamëz, në shkollën 9-vjeçare “Isa Boletini”, pranë zonës së njohur si “Instituti Bujqësor”. Disa prindër kanë denoncuar një rast shqetësues, lidhur me sjelljen e mësueses kujdestare Rudina Mbjeshova ndaj nxënësve të klasës së parë. Prindërit thonë, se fëmijët ofendohen dhe bullizohen vazhdimisht gjatë orës së mësimit. Emisioni “Stop” ka monitoruar për disa ditë situatën në klasë, duke dokumentuar një sërë episodesh me gjuhë fyese dhe kërcënuese nga ana e mësueses. Në komunikimet e saj me nxënësit, ajo përdor etiketime të rënda si “budallenj”, “torollakë”, “të paedukatë”, “mistreca”, madje shkon deri në shprehje ekstreme, si “vdeksh” apo “vrit veten”.Në disa raste, mësuesja jo vetëm fyen, por edhe kërcënon nxënësit me ndëshkime, përjashtime apo nota të ulëta, duke krijuar një ambient frike dhe presioni psikologjik. Gjithashtu raportohen edhe forma bullizimi lidhur me pamjen fizike të nxënësve, si dhe përdorim i gjuhës denigruese ndaj tyre dhe familjeve të tyre.Sipas materialeve të publikuara, kjo sjellje nuk është episodike, por duket si një model i përsëritur komunikimi në klasë.
Sot është 5 maji, Dita e Dëshmorëve, ditë në të cilën kemi realizuar intervista me qytetarë të moshave të ndryshme. Shumë prej qytetarëve, sidomos të rinjtë, nuk e dinin simbolikën e kësaj date, duke e ngatërruar me çlirimin e Tiranës apo edhe të Kosovës.Pyetjes, nëse sot ka dëshmorë, disa iu përgjigjën me tone kritike ndaj realitetit, duke thënë, se sot ka vetëm hajdutë.Në një tjetër situatë, një foto e stadiumit “Dinamo”, tregon, se këtij stadiumi i ka mbirë bari.
Jemi në Lezhë për problemin e zonjës Gresilda Malecaj, e cila, me ndihmën tonë, mundi të pajiset me certifikatë pronësie për dy dynymë ullishte në dhjetor 2025. Por tani, ajo po përballet me vështirësi, për ta marrë konkretisht pronën e saj, që vijon të jetë e uzurpuar nga dy shtetas, Gjergj dhe Saimir Simoni, të cilët jo vetëm kanë ndërtuar banesa në atë zonë, por i kanë edhe legalizuar ato. Përtej gjurmës së ndërtesave, ata kanë marrë në përdorim edhe një pjesë të konsiderueshme të truallit, që i përket zonjës Malecaj.Situata është përkeqësuar më tej, pasi Gresilda është përballur edhe me kërcënime, për të mos iu afruar pronës së saj. Në përpjekje për të gjetur një zgjidhje pa konflikt, Gresilda Malecaj ka kërkuar ndihmën e Bashkisë Lezhë, për të bërë përcaktimin e saktë të kufijve të pronës, duke kërkuar, që të respektohen edhe banesat ekzistuese, por të ndahet dhe pjesa e lirë, që i takon asaj.Megjithëse u ngrit një grup pune dhe u kryen verifikime në terren, në përfundim asaj iu komunikua, se kërkesa nuk ishte e saktë, duke e lënë sërish pa zgjidhje. Ajo ka paraqitur kërkesë të re, por pa shumë shpresë për rezultat. Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, është shprehur publikisht, se rasti do të ndiqet deri në fund dhe nëse qytetarja ka të drejtë ligjore, ajo do të marrë atë, që i takon.




