Është vënë në pranga nga policia këtë të premte një 33-vjeçar, pasi dyshohet se është autor i 6 rasteve të vjedhjes së disa motomjeteve në Tiranë.
Sipas raportimeve të policisë, në pranga ka rënë Ermond Gjina 33 vjeç, i cili çmontonte pjesët e motomjeteve të vjedhura dhe i shiste.
Ndërkohë, është proceduar penalisht një 39-vjeçar, pasi dyshohet se ka përvetësuar nga i arrestuari motomjet dhe pjesë motomjetesh të vjedhura.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, si rezultat i hetimeve të kryera pas kallëzimeve për vjedhjen e disa motomjeteve, kanë finalizuar operacionin policor “Remove”, si rezultat i të cilit u identifikua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi:
-E. Gj., 33 vjeç, banues në Tiranë.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas vidhte motomjete me qëllim çmontimin në pjesë dhe shitjen e tyre, kryesisht në subjekte që shesin pjesë mjetesh. Ai dyshohet se ka vjedhur 6 motomjete, gjatë muajve mars dhe prill 2026.
Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin Y. D., 39 vjeç, pasi dyshohet se ka përvetësuar 1 motomjet dhe pjesë motomjetesh, të vjedhura nga i arrestuari.
Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga 33-vjeçari”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.



