Ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, mbajti sot një konferencë të përbashkët për mediat me Izet Mexhitin, kryetar i Lëvizjes Demokratike në Maqedoninë e Veriut dhe kryetar i Komunës së Çairit.
Pas përfundimit të fjalimeve, gazetarët i kërkuan një koment në lidhje me mesazhet e bëra publike ku pretendohet se Hoxha u drejtohet shqiptarëve të Malit të Zi si “idiotë”, të cilat Hoxha i ka cilësuar si tymnajë me të cilën nuk ka ndërmend të merret.
“Nuk ka asgjë të vërtetë nga ato mesazhe, nuk do më tërhiqni ku doni ju ,unë kam evoluar, Shqipëria është duke ecur në rrugën e BE dhe nuk do merrem me tymnaja. Unë i kam bërë të gjitha sqarimet e mia dhe do doja të përdorja një shprehje: U ngrit kjo tymnajë dhe u pamë! Jam i hapur për të takuar në çdo kohë e rrethanë, qoftë kur biem dakord, qoftë kur kemi gjëra për të biseduar, edhe nëse nuk biem dakord! Nuk ka asnjë lloj interpretimi që vlen mbi atë që duam të ndërtojmë, mbi atë që biseduam sot e do të bëjmë. Nuk ka asnjë tymnajë që mund të hyjë në mes nesh, që mund të na zërë sytë për të parë atë që është e përbashkët”, tha Hoxha.
Disa ditë më parë kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi në një postim në “Facebook” ndau një mesazh ku pretendonte se ministri Ferit Hoxha iu referohet shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut si “idiotë”.



