Ish-zëvendëskryeministri i vendit, Arben Ahmetaj, i pandehur për “shpërdorim detyre”, ka kërkuar që seancat gjyqësore ndaj tij në Gjykatën e Posaçme AntiKorrupsion (GJKKO) të regjistrohen dhe të bëhen publike.
Kërkesa është paraqitur sot, 27 prill, nga avokati i tij, Henrik Ligori, gjatë seancës së radhës për dosjen “Buka sha”. Sipas mbrojtjes, procesi duhet të transmetohet drejtpërdrejt në mënyrë që publiku të ketë akses të plotë në zhvillimet e gjykimit.
“Të transmetohet live seanca. Publiku ta shohë procesin”, mësohet të ketë thënë avokati para trupit gjykues.
Kërkesa pritet të shqyrtohet nga gjykata në vijim.
Çështja e njohur si “Buka”, për të cilin Ahmetaj po hetohet, ka të bëjë me privatizimin e kompanisë së bukës, ku asetet e shtetit dhe te privatëve janë rivlerësuar me çmimet e tregut, sikundër kërkohej nga vendimet e gjykatave në atë kohë.
SPAK thotë se hetimet e deritanishme kanë treguar se Ahmetaj shpërdoroi detyrën duke favorizuar për të privatizuar shoqërinë “Buka sha”.
Vlen të theksohet se kërkesë të kësaj natyre, kanë bërë kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj dhe ish-Presidenti i vendit, Ilir Meta. Në seancën gjyqësore ndaj këtij të fundit, pati akses të kamerave këtë të hënë, për disa minuta.




