Policia e Tiranës ka arrestuar dy magazinierë të një subjekti tregtimi të kafesë dhe ka proceduar penalisht në gjendje të lirë një shpërndarës, pasi dyshohet se kanë krijuar një skemë vjedhjeje të kafesë te magazina ku punonin.

Sipas hetimeve, veprimtaria dyshohet se është kryer për një periudhë rreth trevjeçare, gjatë së cilës janë përvetësuar rreth 40 mijë kilogramë kafe, me një përfitim të dyshuar financiar prej rreth 800 mijë eurosh.

Si rezultat i operacionit “Inventari”., u vunë në pranga shtetasit Altin Kenga, 35 vjeç dhe Vasilika Kazo, 29 vjeçe, të dy magazinierë në subjektin përkatës, ndërsa u procedua në gjendje të lirë shtetasi L. B., 29 vjeç, me detyrë shpërndarës.

Arrestimi i tyre është bërë pas kallëzimit të administratores së subjektit, e cila kishte konstatuar mungesë të konsiderueshme produkti. Në vijim, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin e koduar “Inventari”.

Nga hetimet paraprake dyshohet se shtetasit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe duke shpërdoruar detyrën, kanë kryer vjedhjet gjatë një periudhe të gjatë kohe, duke përfituar shuma të konsiderueshme monetare.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.