Kryedemokrati Sali Berisha nuk ka dhënë një datë për zhvillimin e protestës së radhës, e megjithatë, ka paralajmëruar se ajo do të jetë më e fuqishme.
Në një konferencë për mediat, Berisha tha se kjo protestë do të jetë për të gjithë ata që nuk ngrihen dot në revoltë për shkak të frikës, teksa tha se do të jetë kryengritja më e fuqishme që ka njohur Shqipëria.
Ai theksoi se situata kërkon reagim qytetar, duke bërë thirrje për protesta si mjetin e vetëm për të ndalur atë që e quajti “një e keqe e madhe” për vendin.
“Ne do ngrihemi dhe më fuqishëm, ky është misioni ynë dhe ky është më i rëndësishëm seç ishte dje, pardje, apo në çdo kohë. Nuk mund të mbyllë ai (kryeministri) afera të cilat u kushtojnë miliarda qytetarëve shqiptarë. Ndaj të përgatitemi për kryengritjen më të madhe, kurrë nuk pajtohemi ne me këtë veprimtari.
Duhet të ngrihemi në emër të të gjithë shqiptarëve që nuk ngrihen dot nga frika. Historinë e bëjnë guximtarët. Ndaj kryengritja e radhës duhet të jetë më e fuqishmja që ka njohur Shqipëria. Pas kësaj mbledhje fillojnë përgatitjet e protestës së ardhshme, datën do ta shpallim së shpejti“, u shpreh Berisha.



