Një qytetare, e quajtur Xhevahire, denoncon një rast të dyshuar mashtrimi lidhur me konkursin “X Talent Globe”, i organizuar nga “Kiki Model” me producent Kreshnik Husaj. Sipas saj, vajza e saj u përfshi në këtë aktivitet, pas një rekomandimi nga mësuesja në një qendër kulturore. Familja ka nënshkruar një kontratë shërbimi, ku parashikohej një pagesë prej 10,000 eurosh për angazhimin e vajzës, nga e cila do të zbritej një komision prej 10%, duke mbetur rreth 9,000 euro për përfitim. Afati për këtë pagesë ishte nga 4 marsi 2025 deri më 3 janar 2026, por shuma nuk është dhënë.Më tej, vajza u shpall një nga fitueset e një çmimi prej 50,000 eurosh, i ndarë mes katër pjesëmarrësve. Prindërit deklarojnë, se kanë paguar përqindje për këtë çmim, në vlerën 5%, duke arritur një shumë totale 3,150 euro, përfshirë edhe një transfertë prej 650 eurosh.Pavarësisht këtyre pagesave, familja nuk ka marrë as pagesën e premtuar për angazhimin dhe as pjesën takuese të çmimit. Kreshnik Husaj ka shtyrë vazhdimisht afatet, duke justifikuar vonesat me procedura dhe pritje fondesh nga donatorë apo bashkëpunime mes Shqipërisë dhe Kosovës. Aktualisht, është premtuar një pagesë e pjesshme deri më 1 qershor 2026 dhe pjesa tjetër deri në fund të vitit, por familja shprehet skeptike pas më shumë se një viti pritjeje.




