Një telefonatë ka ngritur në këmbë uniformat blu të Fierit, pasi një 68-vjeçar denoncoi veten e tij me pretendimin se ka vrarë bashkëshorten.
Në momentin që efektivët kanë shkuar në banesën e çiftit, është konstatuar se i moshuari në fakt ishte në gjendje të dehur, ndërsa bashkëshortja e tij gëzonte shëndet të plotë.
68-vjeçari u shoqërua në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.
“Rreth orës 14:30, në Sallën Operative të DVP Fier, ka telefonuar shtetasi S. T., 68 vjeç, banues në fshatin Dukas, Patos, i cili ka deklaruar se kishte vrarë bashkëshorten e tij, shtetasen Sh. T., 64 vjeçe. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë janë nisur drejt vendngjarjes dhe kanë kontaktuar me telefonuesin. Nga verifikimet e kryera rezultoi se shtetasi S. T., në gjendje të dehur, kishte bërë një njoftim të rremë. Shtetasja Sh. T. u gjet në banesë, në gjendje të mirë shëndetësore. Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar shtetasin S. T. në ambientet e Komisariatit, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale“, njofton policia.



