Nga qelia, Ilir Meta ka hedhur akuza ndaj Prokurorisë së Posaçme duke pretenduar se ka mashtruar qëllimisht në letër-porosinë që i ka nisur autoriteteve amerikane në mars të 2025, ku sipas tij, SPAK e bën fakt të kryer që kreu i PL ka përdorur kartë bankare.
Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, Meta shprehet se nuk ka përdorur asnjëherë këtë kartë dhe nuk ka dijeni që të afërm të tij nuk e kanë përdorur.
“Kurrë në jetën time, jo vetëm nuk kam përdorur një kartë bankare amerikane apo europiane, por as kartë bankare shqiptare. Kurrë nuk kam pasur dijeni që një bashkëpunëtori i imi, ish i afërm i imi, apo person i afërt me mua të ketë përdorur ndonjë kartë bankare të tillë. Kurrë nuk kam qenë në asnjë vend ku mund të jenë përdorur këto karta bankare që pretendojnë prokurorët”, deklaron Meta.
Reagimi i plotë:
Të dashur qytetarë,
Çdo letërporosi e nisur nga Prokurorët e SPAK-ut në SHBA, ka patur vetëm një qëllim, manipulimin dhe keqpërdorimin e autoriteteve amerikane kundër Ilir Metës.
Asnjë letërporosi, nuk është nisur në respekt të kontratës ligjore GSIS-LSI, të regjistruar në SHBA dhe në Shqipëri.
Qëllimi ka qënë krijimi i mjegullës, por jo provimi i fajësisë së hamendësuar të Ilir Metës sepse prokurorët kanë qenë të bindur që në fillim, që gjithçka ka qenë Mashtrim, siç rezultoi edhe me McKeon Group.
Shikoni si Mashtrojnë hapur dhe qëllimisht prokurorët e SPAK-ut, me firmë dhe me vulë, Departamentin e Drejtësisë në SHBA, sikur gjoja e kanë të provuar se unë kam përdorur të paktën tre karta bankare amerikane.
Sikur t’u thoshin na ndihmoni se dyshojmë, që Ilir Meta mund të ketë përdorur karta bankare amerikane, po e pranojmë si logjikë, sepse dyshimi është gjithmonë i pranueshëm.
Por t’i mashtrosh me vetëdije duke u thënë autoriteteve amerikane, sikur gjoja e kemi të provuar se Ilir Meta ka përdorur tre karta bankare amerikane është një Mashtrim i qëllimtë i autoriteteve amerikane dhe një kompromentim i raporteve të bashkëpunimit transparent midis dy vendeve.
Duke e publikuar sot këtë letërporosi të datës 11 mars 2025, i siguroj të gjithë qytetarët shqiptarë dhe partnerët amerikanë dhe europianë se Kurrë në jetën time, jo vetëm Nuk Kam Përdorur një kartë bankare amerikane apo europiane, por as kartë bankare shqiptare.
Së dyti, Kurrënuk kam patur dijeni që një bashkëpunëtori i imi, ish i afërm i imi, apo person i afërt me mua të ketë përdorur ndonjë kartë bankare të tillë.
Kurrë nuk kam qenë në asnjë vend ku mund të jenë përdorur këto karta bankare që pretendojnë prokurorët.
Në të ardhmen, do të shikoni çudira të tjera si këto, sepse ua kemi thenë që fillim se standardet e rrëmbimit, janë identike me vetë standardet e hetimit, me standardet e gjykimit dhe të paraburgimit tim.




